Nga Pierre-Pandeli Simsia/
Ai hapi derën e apartamentit dhe hyri brenda me ngadalë, ashtu siç hynte çdo ditë. Edhe nëse ndjehej i lodhur kur kthehej në shtëpi, përpara nënës së tij mundohej të shtirej i qeshur dhe i gëzuar. Në dorë mbante një gonxhe trëndafili ngjyrë vishnje.
- Erdhe? – i tha e ëma dhe u çua në këmbë nga ndenjësja ku po rinte ulur. Sytë i shkuan menjëherë tek ajo gonxhe trëndafili. “Është Shën Valentini sot…” – mendoi dhe ndjeu një gëzim në shpirt.
Ai e përqafoi si gjithmonë, e puthi dhe hyri në guzhinë. E ëma i shkoi nga pas. – Ma jep mua – i tha, – ta vendos në një gotë me ujë, ti shko lahu.
Atij nuk i pëlqeu që e ëma të ndjente gëzimin e asaj luleje dhuratë që ai nuk e dëshironte. Nuk e kishte adhuruar kurrë atë vajzë, shoqen e klasës, madje as shenjën më të vogël të simpatisë së tij ndaj saj nuk kishte treguar. Ishte ndjerë krejt i befasuar, kur ajo me gonxhe trëndafilin në duar ishte drejtuar tek ai duke i uruar festën e Shën Valentinit. Ai me mirësjellje e kishte falenderuar dhe për të mos e fyer e kishte pranuar lulen. Kërkesës së saj për një festim së bashku në mbrëmje, ai e kishte refuzuar.
- Sonte është dita juaj – i tha e ëma, kur po rinin ulur në tryezën e ngrënies. Po të lutem… të jesh i kujdesshëm dhe… mos u vono shumë në mbrëmje.
- Ai duke u përtypur, buzëqeshi dhe lëvizi kokën në shenjë pohuese, si për të aprovuar ato ç’farë tha ajo.
Ndryshe nga vitet e tjera, atë vit, Shën Valentinin kishte menduar ta festonte me një shoqëri të re.
Një shok latino-amerikan i kishte propozuar që atë mbrëmje të shkonin së bashku në klub me një grup vajzash edhe ato latino-amerikane. I kishte pëlqyer propozimi i shokut, aq më tepër që për të ishte hera e parë që do festonte me vajza të huaja…
Mendoi të pushojë në shtrat, derisa të vinte ora e lënies së takimit.
- Mos merr shumë para me vete – i tha e ëma, tek e shihte përpara pasqyrës, ndërsa ai krihte flokët.
- E pooo… një herë në vit është kjo ditë moj mama, pastaj…
- Kujdes edhe me pijen, je edhe në timonin e makinës, mos pi shumë.
Ai nuk foli, nënqeshi duke parë fytyrën e saj në anën tjetër të pasqyrës .
- Më pëlqen shumë kjo era e kolonjës që përdor – i tha ajo, duke ndjerë dënesë për fjalët që tha dhe për të ndëruar bisedën që ajo vetë e nisi.
- Po ti, ku do shkosh për ta festuar? – i tha ai dhe qeshi siç e kishte zakon kur bënte shaka me mamanë.
- Eh! Shën Valentin zeza për mua… unë do ta festoj duke të pritur ty.
- E po mirë atëhere, kalofsh edhe ti gëzuar mama – tha duke qeshur dhe e përqafoi.
Ai doli jashtë, ndërsa e ëma po qendronte te pragu i derës dhe po e shoqëronte me sy nga prapa.
- Dëgjo bir, mos e mbaj fikur telefonin kur të të marr unë. Më dërgo edhe ti nganjëherë zile.
Ai ndaloi dhe ktheu kokën – Mos u bëj merak mama – tha dhe e përshëndeti me dorë.
Gruaja mërmëriti disa fjalë, duke e ndjekur me sy nga prapa. “Zoti të ndihmoftë bir”
Shkoi në guzhinë, qendroi përpara gotës me gonxhe trëndafili dhe buzëqeshi. “Të keqen nëna” – tha dhe afroi kokën duke i marrë erë. Iu duk se ndjeu erën e të birit.
Ai ecte rrugës drejt vendit ku ishte makina. “Më mjaftojnë paratë që kam” – mendoi.
Rrugës me makinë iu kujtuan ato, vajzat latino-amerikane që s’i njihte dhe s’i kishte parë kurrë. “Kanë trup të bukur dhe… kulturë seksuale …” mendoi. Ndaloi CD-në me këngët që po dëgjonte dhe vuri një tjetër me muzikë latino-amerikane. “Muzika “Salsa” më pëlqen shumë. Më japin shumë kënaqësi këto trompat dhe kitarat kur i dëgjoj në këngët e tyre” – dhe iu parafytyruan vajzat latino-amerikane në përgjithësi me bluzet e hapura përpara kraharorit, që ua tregonin gjokset ngjyrë gruri… dhe pantallonat xhinse, të ngushta, që u rrinin ngjitur pas trupit…
Diçka mendoi dhe një “aahh” i doli pa e kuptuar as ai vetë.
Tingullin melodik të ziles së telefonit nuk e dëgjoi nga tingujt e lartë që po dëgjonte këngët e CD-së.
Shoku që i kishte dërguar zile ishte shqetësuar nga mospërgjigjja e tij. Kishin kaluar pothuajse 15 minuta që i kishte lënë mesazh dhe ai nuk po i përgjigjej. Shoku më tepër do ndiente druajtje nga vajzat nëse për ndonjë arësye ai nuk do vinte.
Pas pak, atij iu kujtua t’i dërgojë një telefonatë shokut. Uli zërin e muzikës që po dëgjonte dhe nxorri telefonin. Atëhere e pa se shoku i tij i kishte dërguar thirrje dhe i kishte lënë mesazh.
Nuk vonoi shumë dhe ata u takuan në vendtakim.
- Ku janë ato, nuk do vijnë sonte? e pyeti shokun sapo zbriti nga makina.
- Do vijnë, por, vajzat… ti e kupton vetë…
Cigarja që e ndezën ishte djegur deri në gjysëm, kur përballë tyre u shfaqën gjashtë vajzat. Të gjashtave fytyrat e tyre ngjyrë gruri u shkëlqenin nga kremrat që kishin venë. Ishin të bukura dhe elegante në trup, vetëm dy nga ato kishin një shëndet më të theksuar që binte në sy.
Ato u afruan buzagaz, u përshëndetën, duke u prezantuar secila emrin e saj.
- Ju latino-amerikanet keni emra të bukur, ashtu siç jeni edhe vetë – tha ai, si për të hyrë i pari në bisedë.
- Edhe emri yt është i bukur – tha njëra nga ato dhe qeshi. E qeshura e saj u pasua edhe nga të tjerat.
- Vetëm emri i tij është i bukur? – pyeti shoku vajzat.
- Ty të njohim ne, por po themi për këtë shokun e ri. Shumë tërheqës qenka. – foli një vajzë tjetër.
- Që të mos vonohemi, – tha ai, – të shkojmë atje për ku jemi nisur. Hajde shpejt, tre vajza të vijnë në makinën time dhe tre të tjerat të shkojnë në makinën e tij.
Vajzat panë njëra tjetrën në sy. Nuk dinin në cilën makinë të shkonin.
- Hajde, – foli përsëri shoku dhe zgjati dorën, duke prekur tre vajzat që kishte më pranë. – Ju të treja hajdeni me mua; kurse ju, shkoni me të.
Në klub ishte vërtet një mbrëmje e këndëshme dha gazmore, siç është vetë dita e Shën Valentinit. Drita e zbehtë që lëshonin flakët e qirinjve mbi tavolina e bënte eksituese ambientin gjithandej. Djem dhe vajza të reja kërcenin dhe këndonin nën ritmet e muzikës frenetike që ndryshonte herëpashere ritmin e saj. Dikush gjatë vallëzimit mbante një shishe birrë në dorë, dikush një gotë me konjak, uiski, pije të ndryshme.
- Të lutem zemra ime, më thuaj çfarë të pëlqen tjetër të pish? – po i thoshte një djalë, që dukej se e kishte zënë pija, shoqes së tij, që rrinte ulur mbi gjunjtë e tij në një tavolinë më tej dhe nxorri paratë nga portofoli. Vajza iu avit më pranë, mbështeti shpinën në gjoksin e tij dhe ngriti kokën. – Dua një puthje të nxehtë tani mjalti im,vetëm puthje dua tani, puuthje – dhe zgjati buzët…
- Ju ç’dëshironi të pini tjetër? – pyeti shoku latino-amerikan vajzat.
- Jo, jo! Është radha ime për të paguar – tha ai dhe menjëherë nxorri paratë nga portofoli.
Njëra nga ato e pa me bisht të syrit kur ai nxori portofolin dhe u duk sasia e madhe e parave dhe shikimin e hodhi nga shoqja e saj. I bëri një shenjë me kokë që askush nuk e pa. Edhe shoqja iu përgjigj shikimit të saj, të shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë dhe shkelje të syrit të djathtë.
Vajzat donin të pinin përsëri birrë.
Dy nga ato gjashtë vajzat u çuan dhe filluan të spërdridhnin belin dhe vithet në mënyrë të pahijshme sipas ritmit të muzikës që ishte e mprehtë dhe shurdhuese. Më pas i shkuan edhe katër të tjerat që imitonin shoqet e tyre. Njëra nga ato zbërtheu kopsat e këmishës, sa iu dukën mbajtëset e gjoksit ngjyrë qielli, të qarkuara me tyl.
Djemtë po i kundronin ëmbël. Mbi fytyrat e tyre rëshkiste buzëqeshja e lehtë që ia vijosi fytyrën.
- Çohemi të vallëzojmë edhe ne – i tha ai shokut latino-amerikan. U çuan dhe nën tingujt e muzikës kërcenin edhe ata mes atyre njerëzve të shumtë. Atë e çuan këmbët tek vajza që kishte zbërthyer këmishën. Ai i qe avitur fare pranë, ndërsa ajo i hodhi krahët në qafë. Aroma e fortë e parfumit të saj ia goditi fytyrën. Shihte gjoksin e saj gjysëm të zbuluar që e kishte fare pranë, ndërsa ndjente prekjen e kofshës së tij nga kofsha e saj.
- Rroftë Shën Valentini – tha shoku duke qeshur i cili në atë çast ishte pranë tyre. Nga tingujt e fortë të muzikës nuk u dëgjua ç’tha ai, vetëm u kuptua nga lëvizja e buzëve.
Ajo mbrëmje kaloi këndshëm, ashtu siç kalohet përherë festa e bukur e të dashuruarve.
Kur dolën jashtë për të ikur, kërkesës së djemve për të kaluar disa çaste të këndshme dhe intime në një nga motelet aty pranë, vajzat e refuzuan, duke premtuar se miqësia e tyre do të vazhdojë edhe në ditët që do të vijnë.
E ëma e tij edhe pse kishte kaluar ora 3:15 e mëngjesit, rrinte në dhomë dhe priste të birin të vinte.
- Si do t’i çojmë vajzat tani në shtëpi? – pyeti ai shokun kur dolën jashtë.
- Ashtu siç edhe erdhëm, tre në makinën tënde dhe tre në makinën time.
Vajza që kishte kërcyer me këmishën e zbërthyer e pa ëmbëlsisht atë, si për t’i thënë që dëshironte të ishte në makinën e tij. Edhe ai vetë e donte një dëshirë të tillë, prandaj edhe i buzëqeshi në shenjë aprovimi.
Kur vajzat hipën në makinë, për çudinë e tij, në ndenjësen e parë në krah të tij u ul një vajzë tjetër. Ai nuk i tha gjë asaj edhe pse donte që në atë vend të ishte ajo…, e cila u ul në ndenjësen prapa tij.
- Të dëgjojmë pak muzikë latino-amerikane? – tha ai, – se keni muzikë të bukur ju, ashtu siç jeni edhe vetë – dhe pa marë përgjigje nga ato shtypi butonin. Tingujt e ëmbël të muzikës u përhapën brenda kabinës së makinës, ndërsa vajzat filluan ta shoqëronin muzikën me përplasjen e pëllëmbëve.
- Vetëm më tregoni rrugën nga duhet të shkojmë – tha, pa e lëvizur kokën dhe shikimin para.
Befas ndjeu një prekje në pjesën e qafës. Gishta të lëmuar po e ledhatonin. Pastaj dëgjoi një frymëmarje përzierë me erë alkooli që i ishte afruar pranë, një puthje të lehtë në qafë dhe më pas fjalët: “Unë kisha shumë dëshirë sonte…” – Ishte vajza me këmishën e zbërthyer e ulur prapa tij ajo që po i fliste dhe që i bënte ato veprime.
Ai nuk foli, vetëm buzëqeshi. Ndjeu përsëri një puthje tjetër në qafë dhe dy duar përpara gjoksit të tij që po lëviznin me ngadalë. – Paske shumë trup të bukur – dëgjoi përsëri zërin e saj. Vajza tjetër e ulur në krah të tij në ndenjësen përpara, shikonte me bisht të syrit veprimet e shoqes dhe buzëqeshte.
Dy duart e saja po lëviznin në pjesët e trupit të tij: – Sa trup i bukur…!” – dhe e puthi përsëri në qafë. Ai nuk foli, shikonte përpara në timon dhe ndjente kënaqësi nga ai veprim i vajzës.
Pastaj iu duk se ishin katër duar që po ledhatonin trupin e tij. – “Ç’më ndezën…! S’kanë faj, vajza të reja në moshë, i është ndezur gjaku, por tani ndikon edhe pija… Ku ma gjetën dhe mua tani që kam timonin në duar…”
Dy duar të zgjatura nga prapa shpinës iu afruan shumë pranë pjesës së barkut të tij, ndërsa dy duart e tjera, lëviznin lirshëm në pjesë të ndryshme të trupit, të shoqëruara me puthje në qafë dhe në shpinë. Nuk mund t’i ndalonte veprimet e tyre, sepse edhe ai vetë kishte hyrë në të njëjtën botë si ato, në botën e eksitimit. Vetëm kishte një merak, të ishte i vëmendshëm në timon. Rruga ishte e shkretë dhe e qetë. Kulmi arriti, që edhe ai vetë nuk do ta besonte, kur duart e shtrira nga prapa me trupin pak të përthyer pranë tij, filluan e t’i zbërthejnë pantallonat. Vajza e arriti atë që dëshironte dhe bashkë me ato të dyja nga prapa në atë lojë, hyri edhe vajza në krah tij. Tre vajza të shthurura bënin veprime të “çmendura” ndaj një mashkulli që nuk kishte forcë t’i ndalonte, sepse vetë ndjenja e kishte mposhtur forcën dhe logjikën në ato çaste.
Në atë kabinë makine që ecte me shpejtësi mesatare, në orët e para të atij mëngjesi dëgjoje vetëm muzikë, të qeshura,…
Sa shpejt dhe pa u kuptuar mbërritën në vendin ku duhet të zbrisnin vajzat. Dy makinat qendruan njëra pas tjetrës. Vajzat dolën nga makinat, i falenderuan djemtë, u përqafuan, madje edhe i puthën. Ato u larguan me dëshirën edhe në takime të tjera…
Ai donte t’i tregonte shokut të vetë latino-amerikan për atë që i kishte ndodhur,”çmendurinë” e tyre, por tingulli i ziles së telefonit celular që u dëgjua në atë çast, nuk e la që ai të fillonte bisedën. Kur vuri dorën për të marrë telefonin, ndjeu se i mungonte portofoli i parave që e mbante zakonisht në xhepin e djathtë të pantallonave. I shqetësuar po kërkonte me duar nëpër xhepa; e ndjeu portofolin në xhepin e majtë. Edhe pse pak i dehur, e mbante shumë mirë mend që portofolin e kishte vënë në xhepin e djathtë të pantallonave, ashtu siç e mbante përherë, ndërsa tani, portofoli kishte ndërruar vendin. Kjo e bëri të dyshojë. E nxorri portofolin dhe e hapi. Nuk po u besonte syve kur e pa portofolin bosh në vendin e mbajtëses së parave. Mendja i shkoi menjëherë tek dokumentet e tjera dhe tek kartat e kreditit që mbante në portofol. Ato ishin të paprekura, vetëm paratë mungonin. I shqetësuar vrapoi në drejtim të tyre, duke u thirrur edhe me zë. Shoku i tij i tronditur nga ajo ç’i kishte ndodhur shokut të vetë, filloi edhe ai të vrapojë pas tij. Në vrapim e sipër shokut latino-amerikan diçka iu kujtua; ndaloi dhe nxorri edhe ai portofin nga xhepi ku e mbante. Të njëjtin fat kishte pasur edhe ai si shoku i vetë; edhe atij i mungonin të gjitha paratë e mbetura nga mbrëmja. Vazhdoi të vrapojë përsëri pas shokut. Të tronditur në kulm iu afruan vajzave. Ato si të mos dinin gjë, ndaluan dhe hapën krahët për t’i përqafuar, por u zhgënjyen kur ndeshën me zemërimin dhe sharjet e tyre. Ato me ëmbëlsinë femërore e mohuan çdo gjë. Njëra nga ato pati guzimin që edhe t’i fliste me ton të ashpër, si akuzonjës ndaj atyre vajzave të “pafajshme”. Guximin e saj e morrën pastaj të gjitha ato duke mbrojtur “pafajësinë” e tyre.
Djemtë u dorëzuan, s’kishin ç’të bënin. Nuk e kishin të drejtën t’i preknin me dorë kundër dëshirës së tyre, për një kontroll.
U kthyen të dëshpëruar pa i përshëndetur.
Kur ai hyri në shtëpi në orët e para të mëngjesit e ëma po rinte në dhomën e pritjes. Po shihte programet televizive. Ajo nuk kishte fjetur gjithë natën, derisa i biri të kthehej në shtëpi.