Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 535

NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË

$
0
0

ANTON ÇEFA NË SOFRËN POETIKE TË DIELLIT/

NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË/

Me nji shkallë që m’çon jashtë kohe

Ngjitem shtat fill mbi qiell

Në kërkim të Fjalës së Urtë,

U ngjall apo s’u ngjall

U mbrue apo s’u mbrue ai brumë i urtë i fjalës

E zbres shtat pash nën dhe, e zbres e ngjitem

Në kërkim të fjalës së urtë

E zbres e ngjitem në nji shkallë qi m’çon jashtë kohe,

Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,

Fjalën e urtë që dhemb në gjoks

E therë mendimin, atë ma të fismin

E therë mendimin e plagës që lëngon mu n’zemër të tokës sonë.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë,

E asaj kohe të çmendun

I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?

                             *

Ju orkauj qi më rrini

Te kambët e kohës sonë të çoroditun

E më flisni me za Kasandre pa pushim

E shpallni me zhurmë e bujë

Se fruti i urtë i fjalës ka ra

Siç bie nji frut i kalbun nga degë e pemës

Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet

E ai nuk qenka i randë as në dhe të huej.

Shporrnju u tham, si Edgard Poe dikur korbit të zi

Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,

Shporrnju nga busti i bardhë i  fjalës e i kohës.

Po rishtas zani i tyne, ai za Kasandre

Gjimon kërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes

E kumbonët bien në nji anë përzishëm

Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë

Që ra e bie nga pema si frut i kalbun.

Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip

Pres se po bie nga pema frut i pjekun

I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes

Për ty, o toka ime e djegun.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit?

                                      *

Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë

Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,

Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun

E thahet bima e fisme e fjalës

E urta bimë e fjalës.

Shporrnju prej vargut tim, shporrnju që  këtej

 E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,

Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë

Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.

“Ç’do komb, – tha  ai, – shkon udhës së kalvarit

E zbret e ngjitet prap, Sizif mundimesh të pathana,

çohet e rrxohet golgotave të kohëve

E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi

Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtë  i saj.

Kështu edhe për ty, o Toka ime e djegun,

O toka ime e idhtë, o toka ime e ambel,

Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,

Bima e urtë e jetës.

II

Si Sizifi, deri në zgrip të fjalës shkoj

Me torbën randue me ranën e mendimeve

Me torbën e randë sa guri i Sizifit

Që nji lugat i zi e trazon papra.

Deri në zgrip të fjalës shkoj e me Sizifin

Kaptoj errësinat e këtejme e të përtejme,

E prap më rrokulliset torba mu në maje

Të kodrës së errtë të heshtjes.

Torba me litanitë e mëdha që jeh u bajnë

Kumonëve që bien perzishem.

Ka vdekë filani e fisteku.

Thue se ata nuk qenë të vdekun

Mbi rrasë e nen rrasë, mbi gur e nen gur

Mbi dhe e nen dhe të kohës së pakohë.

A thue guri e humb peshën e fjala e urtë kuptimin,

A thue humbet fjala e urtë e farës

Që hodha dikur në zagna fletësh ?

Të gjithë e dinë se guri i randë peshon n’vend t’vet,

Por ne e morem peshë, e hodhem tutje tej

E rrokullisem rrëmoreve të mergimit,

rrëgallave, humnerave të udhëve të pafund.

Në zgrip të fjalës e të heshtjes bana udhë e udhë,

Në zgrip të udhës eca, mu në zgrip

Si ban nji fjalë e urtë, nji fjalë e thënë

Për zgripet e kohëve të pakohë,

Kohëve të stihisë që hangrën nandë djelm e nandë nuse

E që banë kërdinë e zezë, kërdinë e kuqe

E luftë e murtajë, e zjarr e rrenim,

Stihi e zezë që i hangri nanës nandë djemt

Në atë kohë të pakohë, mësyshje e mendimit të çmendur,

Në atë kohë të pakohë kur Kostantini harroi besë e fe

E nuk i hypi revan kalit të besës

E Duruntinës s’i binte ndër mend per vallet.

Në atë kohë fjalën nën gur e lashë,

E gur mbi gur, e gur nën gur

I vuna porta territ e zezonës,

Zezonës së zezë, zezonës së kuqe.

Po atë fjalë të bardhë në gropën e errtë

Ku e pata lanë dikur, e gjeta të urtën,

e gur nën gur e gur mbi gur

ku e pata lanë dikur, e gjeta, të urtën.

E vazhdimisht zbres e ngjitem, ngjitem e zbres

Në nji shkallë që m’çon jashtë kohe,

E shkoj deri te sofra e Zotave që Homeri shtroi n’Iliadë

E ata gërvallen në bankete

E qiell e dhe e shkundin me kangë e britma,

Gajasen së qeshuni e shajnë e grinden

E venën e çojnë me katrova dashtnije e urrejtje,

E nuk pyesin fare per kercnimet e Zeusit

Dhe fjalën e urtë nuk e thotë askush.

As Zeusi në qiell, as Posejdoni në det

E as Hadi, i plotfuqishmi i zi i territ

Fjalën e urtë që dhemb në gjoks

E ther mendimin, atë ma fisnikun,

Mendimin e shtegut të lirë, që i prinë fjalës së urtë

Askush se thotë.

.

Dhe unë ngjitem e zbres, e zbres e ngjitem

Në shkallën që më çon jashtë kohe

E zbres e ngjitem, e ngjitem e zbres në kerkim të fjalës së urtë.

Ç’të shoh!Fjalën e urtë kryqzue me gozhda e gjak

Mbi kryq të kohës së pakohë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 535

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>