Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 535

KUDRET KOKOSHI:TE DUA SHQIPERI!

$
0
0

KUDRET  KOKOSHI/

 Të dua, Shqipëri!/

 Për majat e thepisura, që ngrihen/

Porsi fortesa gjer në qiell krenare;/

Për bukurinë e fushave, që shtrihen/

Pjellore nënë rrezet ledhatare./

 Për pyjet që kurorë e gjelbër t’janë,/

Për lumenjtë, që vullshëm të përshkojnë;/

Për detet dhe liqejt, që më çdo anë/

Qiellin tënd të kaltër pasqyrojnë./

 Për sytë e zes të vashave të tua

Që i japin jetën nur dhe bukuri,/

Për vuajtjet që ke psuar. Atdhe, të dua!

Të dua, t’adhuroj, o Shqipëri!

 Të dua, t’adhuroj për krenarinë

E bijve t’tu, që s’i – u përkulën kurrë

Rrebeshëve të kohës dhe lirinë

Me gjak e mbrojtën dhe lavdi të thurë.

 Një ditë vjeshte 1)

 Unë pash’ një ditë vjeshte një flamur bër’ çika – çika

Një flamur me shkabë t’zezë, që qe prer me një mij’ thitha.

Një flamur me bojë gjaku, që valonte pa pushuar

I përcjell’ nga disa burra, që të gjith’ duke kënduar!

E përcillnin një mij trima me shkopinj e krraba n’dorë,

Kryet lidhur, gjokset thyer… Un’ i pash’ një ditë

n’Vlorë

 Ata luftëtar’ legjendë, ata lajmëtar; lirie,

Që i dha’ fluturim Shqiponjës pas pesë shekuj robërie!

Oh, tha; zemrat, oh, sa bukur mbi Vlorë shkaba valon!

Unë pash’ një ditë vjeshte epopen’ e Kombit ton’.

 1)Një ditë vjeshte: 3 shtatori i 1920-tës, kur luftëtarët shqiptarë hyjnë si ngadhnjimtarë në qytetin e Vlorës.

 Vegim Epik

 Për fatin tënd, Europë, vringëllojnë

Shpatat në Shqipëri dhe dyndet dheu,

Ndërsa princat e tu nga larg vëzhgojnë

Me ankth shtrëngatën që egërsisht shpërtheu.

 Ushtrit’ njëra mbi tjatrën po sulmojnë

Dhe gjaku me të kuq tokën e ngjeu,

Vetëtijn’ armët, kokat fluturojnë

Zbëhet Murati, e qeshet Skënderbeu!

 O si mbi male e kodra e mbi rrafshina

Nga gjokset ngrihet britma fitimtare

Që thellë ushëton nëpër lugina

 Të mundura e me turp ushtrit’ barbare

Rrugën e kthimit marrin, po Kanina

E Kruja e Rozafa janë krenare.

 Këngën më të bukur të këndoj!

 Oh, ndjej në zemër rrahje djaloshare

Dhe gjakun përvëlonjës nëpër deje

Edhe tashti që larg un’ jam prej teje,

Në dhe të huaj, tok’ e shenjtë amtare!

 Edhe tashti që s’kam gëzim as prehje

Në larget rob i një ushtrie barbare,

Më qesh vegimi i epopes’ shqiptare,

Që djeg e ndrit si shkrepëtimë ideja.

 Ndërsa përditë shuhem në mjerim,

Me drit dhe me gjak vargun brumoj

Dhe me zjarrin e ngjesh të shpirtit tim.

 Nën kërbaçin teuton si skllav jetoj,

Po zulma jote, Atdhe, m’ep frymëzim.

Dhe këngën më të bukur të këndoj.

 Vjenë 1994 – Në fushën e përqëndrimit në Gjermani

 Vjena

 Oh, kjo ësht’ Vjena, që ëndërrova prore,

Vjena plot jetë e gaz, ku tingëlloi

E Strauss-it harmonia?

Jo, kjo s’ësht’ Vjena e netëve gazmore,

Vjena e Schubert-it që gjithnjë lëmoi

Embël ndjesit’ e mia!

T’irrej dhe të mallkoj, fatal qytet

Ku dërgjen në mjerim turmat njerëzore,

Ku s’ka më këngë e jetë

Ti nuk je Vjena, por Xhehnemi vet

Ku, skllevër, ne jetojm’ një jet’ mizore,

Një jetë që s’ësht’ jetë.

 Vjenë 1944 – në fushën e përqëndrimit

 Nënës

 Nënë, të pash’ pas kaqë vjet largimi

Të krrusur, të përlotur dhe të tretur,

Të pashë, o nën, më një shkop mbështetur,

Mermer i gjallë vuajtjesh dhe mjerimi!

 Je mplakur shumë, o nënë, por t’ka mbetur

Hiri i mëparshëm dhe nër sy trishtimi

I ëmbël, përkëdhelës, oh trishtimi,

Që në tjatër krijesë s’e kam gjetur!

 Je mplakur shumë, o nënë! Po për mua,

Për shpirtin tim që t’adhuron, ti je

Më e bukura krijesë përmbi dhe!

 Nëna, sa ty tjetër krijesë s’dua!

Sa dëshiroj të marr rrudhat e tua:

Të jem vet plak e ti gjithmonë e re.

 -Mbrëmë- – (Romantiçizmë)

 Ja, muzgu an’ e mbanë

Mbi rruzullin po shtrihet.

Trishtushme n’ajër larg qan një kambanë,

Dhe në mbrëmje e qetë

Përhap tingujt puhia

Mbi fushë, ku më pipëtim nuk ndihet!

Në zemrat lehtë lehtë

Veson melankolia

Kaloi e jetën s’ime edhe një ditë

Plot mund e dhëmbje,

Plot gaz e përtërirë,

Që thell’ jehon

Në vargun tim të lirë!

E kështu errësira, ja, po zbret…

Ëmbël fryu flladi dhe çdo send humbet.

Në ngjyrën që s’ka dritë

Dhe trupi im po shkrihet

Në hiçin që sundon pa formë e peshë.

Tash vetëm rrahja ndihet

E zënrës që përgjon

Në terrin paqëprurës!

 Agimi

 Edhe në gjoksin tim nuk kish filluar

Të më gufonte zemra me furi;

Edhe mbi libra krrusur e vetmuar

Un’ ëndërronja nam edhe lavdi.

 Kur një mëngjes tetori, të praruar

Prej dritës s’djellit, pran’ më shkove ti!

E bukur ti m’u çfaqe e shënjteruar

Me sy qiellorë e leshëra flori!

 Namin, lavdinë e ëndërrat i treta

Në lumturin’ e çastit që kalova,

Dhe bashk’ me ty e ëmbël m’u duk jeta!

 Në afshin dehës tënd shpirtin e ngrova.

Dhe sot pa ty i shkretë e i mjer’ un’ mbeta…

Përse rrugën me ty nuk e vazhdova?

 E di që ke një emër…

 Mos vallë më përhihesh vetëm kur jam në gjumë

Por dhe në je një hie, prapë të dua shumë,

Sepse në zemrën time që njeh stuhi e tmerre,

Ti depërton e dashur, si një vegim pranvere!

Me vite të kërkova plot ankth e nuk të gjeta…

Në vargjet që s’kam shkruar mallin për ty e treta,

Për ty lotët i derdha, për ty që nuk të gjeja.

Sado që pranë meje dëshpërimisht të ndeja.

Kush je, kush je? … Më thuaj!… E di që ke një emër

Me tingull të këputur, që më jehon në zemër

Që m’ep drithmën e jetës, por s’e shqiptoj, pse druaj

Mos je për mua hie, mos jam për ty i huaj.

O, lermë të gëzojë çastin e kësaj magjie

Edhe në jam i huaj, edhe në je ti hie,

Sepse për etjen time ti je e freskët gurrë!…

Po qe se ti je ëndërr… S’dua të zgjohem kurrë.

 Ermirës

 (ose artit të Poezisë)

 Kaluan kështu, papandehur,

Vjetët dhe u bë vonë!

Në çastin vraponjës esht’ fshehur

E këngës një jehonë.

Që vrullshëm një ditë buçiti

Nga zemra ime e dlirë,

Kur jetën e zymtë ma ndriti

Buzëqeshja jote, Ermirë!

Kur heshtas pa droje e me besë

Rrugën e kaltër ngjita

Dhe qiellin me gaz e me shpresë

Në syt’ e tu sodita,

Kur flokët mbi krye, oh lehtë

M’i ledhatoi puhia

Dhe flatrat e shpirtit të qetë

M’i drodhi harmonia!

Aherë guximshëm e mpreha

Këngën në zjarr luftimesh,

Në agimet e merme u deha

Me bukuri vegimesh!

Më lart’ e më lart unë u ngjita

Malit me krahë të lehta:

Me flakët e me dritë u kalita,

Te ti jetën e gjeta.

Oh, n’ecjen, që spati më prehje,

I gajasur nuk rashë

Dhe dritën që mora prej teje

Ermirë, Ermirë, e dhashë!

Kaluan kështu, papandehur,

Ankthe vuajtje gëzime:

Në çastin vraponjës ësht’ fshehur

Jehona e këngës s’ime.

 * * *

 Jetova jetën pak e vojta shumë

Po dhe në vojtje prapë dashurova

Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë

Oh! mos pandehni, jo, se un’ pushova;

 Oh! mos pandehni, jo, s’e do hesht fare,

Në varr të zi kur eshtrat të më treten,

Sepse në vargun tim, shkrepëtimtare

Të rrahjes zemrës sime do të mbeten!

 Epitafi im

 ”Fuqinë ja rrëmbeva un’ stuhisë

Dhe me ‘ta mbrujta vargjet për Atdhenë

Prej zjarrit kur u dogja të lirisë

Dhe Vlorës i këndova epopenë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 535

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>